Shoqata e Audituesve të Jashtëm Publik po ndjek me vëmendje dhe shqetësim debatet e ditëve të fundit në media dhe përplasjet publike lidhur me drejtimin dhe veprimtarinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).
Si një organizatë e pavarur e shoqërisë civile dhe profesionale, e krijuar me misionin për të mbrojtur standardet e profesionit dhe integritetin e audituesve publik, Shoqata e vlerëson të domosdoshme të dalë me këtë qëndrim publik:
Distancimi i trupës audituese nga polemikat mediatike dhe politike: Trupa e audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit përbëhet nga profesionistë të përkushtuar të fushës, puna e të cilëve është thellësisht teknike dhe e mbështetur rigorozisht vetëm në ligj, dokumentacion dhe prova objektive. Shoqata thekson se audituesit publik dhe rezultatet e punës së tyre nuk duhet në asnjë rast të përfshihen, të cenohen apo të instrumentalizohen në debatet dhe përplasjet e vazhdueshme mediatike.
Paprekshmëria e opinionit profesional të audituesit: Raportet dhe gjetjet e auditimit nuk janë çështje interpretimesh politike apo mediatike, por produkt i një analize të pavarur profesionale. Çdo auditues i KLSH-së, ka të drejtën themelore dhe detyrimin ligjor të shprehë opinionin e tij profesional lirisht, i patrazuar dhe i pandikuar nga asnjë lloj presioni qoftë i brendshëm administrativ, ashtu edhe i jashtëm politik apo publik.
Nevoja për qetësi institucionale dhe mbrojtje të besimit publik: Veprimtaria e auditimit kërkon objektivitet, paanshmëri dhe siguri të plotë profesionale. Retorika e ashpër dhe instrumentalizimi mediatik dëmtojnë rëndë klimën e punës së trupës audituese dhe rrezikojnë të minojnë besueshmërinë e publikut te mekanizmat e kontrollit financiar dhe llogaridhënies në vend.
Në çdo rast kur secila palë disponon prova dhe fakte në mbështetje të pretendimeve të saj, çështja duhet t’u drejtohet organeve përkatëse për shqyrtim, pa përfshirë apo përgjithësuar të gjithë audituesit ose ish audituesit e KLSH-së në këtë situatë.
Shoqata e Audituesve të Jashtëm Publik, si një organizatë e pavarur e shoqërisë civile dhe profesionale, do të vijojë të mbështesë pa lëkundje trupën e audituesve të KLSH-së, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve institucionalë dhe medias të respektojnë rolin thelbësor, dinjitetin njerëzor e profesional dhe pavarësinë e pacënueshme të gjykimit të tyre.

