Shoqata e Audituesve të Jashtëm Publik, e regjistruar si person juridik me Vendimin nr. 7787, datë 02.07.2026, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka nisur zyrtarisht angazhimin e saj institucional për promovimin dhe forcimin e auditimit të jashtëm publik në Republikën e Shqipërisë.

Në kuadër të fillimit të veprimtarisë së saj, Shoqata u ka përcjellë shkresa informuese dhe shprehje interesi për bashkëpunim disa prej institucioneve dhe aktorëve kryesorë në fushën e auditimit, financave publike dhe politikëbërjes, përfshirë Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë; Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë; Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat; Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale; Nënkomisionin për Auditimin e Sektorit Publik si dhe Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Nëpërmjet këtyre komunikimeve, Shoqata ka prezantuar misionin, objektivat dhe fushën e saj të veprimtarisë, duke shprehur gatishmërinë për të ndërtuar marrëdhënie bashkëpunimi institucional dhe profesional dhe për të kontribuar në mënyrë konstruktive në zhvillimin e auditimit të jashtëm publik në Shqipëri.

Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është edhe shprehja e interesit për t’u përfshirë në Regjistrin Publik të Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC) dhe Grupeve të Interesit pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me synim pjesëmarrjen aktive në proceset e konsultimit publik dhe në veprimtarinë parlamentare, në përputhje me fushën e veprimtarisë së Shoqatës.

Shoqata e Audituesve të Jashtëm Publik synon të kontribuojë në mënyrë profesionale dhe të pavarur në:

  • Rritjen e kapaciteteve profesionale, etike dhe metodologjike të audituesve të jashtëm publikë;
  • forcimin e standardeve profesionale dhe integritetit në auditim;
  • promovimin e transparencës dhe llogaridhënies në përdorimin e fondeve publike;
  • forcimin e rolit, pavarësisë dhe statusit profesional të audituesve të jashtëm të sektorit publik;
  • përmirësimin e kuadrit ligjor dhe praktikave në fushën e auditimit të jashtëm publik;
  • nxitjen e dialogut profesional ndërmjet audituesve, institucioneve publike, akademisë dhe aktorëve të tjerë relevantë;
  • organizimin e trajnimeve, konferencave, tryezave profesionale dhe veprimtarive me karakter akademik si dhe në mbështetjen e proceseve që kontribuojnë në forcimin e qeverisjes së mirë, transparencës dhe përdorimit të përgjegjshëm të financave publike.

Shoqata vlerëson se zhvillimi i një dialogu të qëndrueshëm ndërmjet profesionistëve të auditimit, institucioneve publike, Kuvendit, partnerëve ndërkombëtarë dhe komunitetit akademik është një element i rëndësishëm për forcimin e sistemit të auditimit publik dhe të institucioneve demokratike.

Shoqata e Audituesve të Jashtëm Publik shpreh angazhimin e saj për të qenë një partner profesional, konstruktiv dhe i përgjegjshëm në çdo proces që lidhet me zhvillimin e auditimit të jashtëm publik, forcimin e integritetit profesional, transparencën dhe llogaridhënien në administrimin e financave publike.

Ky është vetëm fillimi i një angazhimi institucional që synon të sjellë në vëmendje ekspertizën profesionale të audituesve të jashtëm publikë dhe të krijojë hapësira të reja për dialog, bashkëpunim dhe kontribut në interes të publikut.