Auditimi publik dhe kontributi në debatin kushtetues për pagat e magjistratëve
Në periudhën tetor–nëntor 2020, me autorizimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), u ushtrua një auditim profesional tematik në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), me objekt sistemin e pagave dhe shpërblimeve.
Pas përfundimit të auditimit, KLSH i ka adresuar KLGJ-së rekomandimin për mënyrën e përllogaritjes së pagës referuese bazë të magjistratëve.
Në mënyrë konkrete, KLSH rekomandoi:
“Për të gjithë magjistratët, pavarësisht nga pozicioni i tyre i punës (kategoritë G1, G2 dhe G3), paga referuese bazë të përllogaritet mbi bazën e plotë të pagës së Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme në Kryeministri, e cila përbëhet nga paga e grupit, plus shtesën e pagës (132,100 = 14,000 + 118,100) dhe jo siç përllogaritet aktualisht, vetëm mbi shtesën për pozicion (118,100). Pagesa duhet të bëhet duke filluar nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (ose emërimit, për personat e punësuar pas kësaj date) dhe të përllogaritet për të gjithë periudhën, bashkë me të gjitha shtesat dhe pakësimet.”
Shoqata e Audituesve të Jashtëm Publik e vlerëson këtë rekomandim si një dëshmi të vlerës së shtuar që auditimi publik mund të sjellë në adresimin e çështjeve me rëndësi institucionale dhe publike.
Rëndësia e këtij rekomandimi është evidentuar edhe më tej, pasi çështja e mënyrës së përllogaritjes së pagës referuese bazë të magjistratëve është bërë pjesë e debatit kushtetues. Në vendimin nr. 15, datë 17.02.2026, të Gjykatës Kushtetuese, referohet auditimi i KLSH-së dhe rekomandimi lidhur me mënyrën e përllogaritjes së pagës referuese bazë të magjistratëve.
Ky zhvillim dëshmon rëndësinë e auditimit publik profesional në identifikimin dhe evidentimin e problematikave, si dhe në ofrimin e rekomandimeve që mund të shërbejnë si bazë për diskutime dhe vendimmarrje institucionale.
Pavarësia, integriteti dhe profesionalizmi i audituesit publik janë garanci për një auditim objektiv, të dobishëm dhe në shërbim të interesit publik.

