Shoqata e Audituesve të Jashtëm Publik

Historiku

Nga nisma e fundvitit 2025 deri në personalitetin juridik të 2 korrikut 2026.

Shoqata e Audituesve të Jashtëm Publik është një organizatë profesionale dhe jofitimprurëse, e krijuar për të përfaqësuar, mbështetur dhe promovuar interesat profesionale të audituesve të jashtëm publik, si dhe për të kontribuar në forcimin e pavarësisë, integritetit dhe cilësisë së auditimit publik në Republikën e Shqipërisë.

Nisma për krijimin e shoqatës lindi në fund të vitit 2025, kur një grup prej 20 audituesish dhe ish-audituesish të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), të shqetësuar për çështje që lidhen me funksionimin e institucionit dhe zbatimin e kuadrit ligjor në fushën e auditimit publik, iu drejtuan institucioneve më të larta të vendit dhe partnerëve ndërkombëtarë me dy shkresa zyrtare, të datave 29 tetor 2025 dhe 4 shkurt 2026.

Në këto shkresa, drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, komisioneve parlamentare përgjegjëse, Presidentit të Republikës, SIGMA-s, Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri dhe institucioneve të tjera monitoruese, u paraqitën shqetësime dhe kërkesa për shqyrtimin e pretendimeve mbi zbatimin e ligjit organik të KLSH-së dhe legjislacionit që rregullon auditimin publik.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të adresuar këto çështje në rrugë institucionale, për një periudhë prej rreth shtatë muajsh nuk pati një reagim apo zgjidhje zyrtare. Kjo situatë nxiti bindjen se audituesit e jashtëm publik kishin nevojë për një organizim të pavarur profesional, i cili të promovonte standardet më të larta të profesionit, të mbronte interesat legjitime të anëtarëve dhe të kontribuonte në zhvillimin e një sistemi auditimi publik të bazuar në pavarësi, profesionalizëm dhe llogaridhënie.

Në këtë frymë u themelua Shoqata e Audituesve të Jashtëm Publik, e cila fitoi personalitet juridik me Vendimin e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, datë 02.07.2026.

Që nga themelimi i saj, Shoqata angazhohet për mbrojtjen e dinjitetit dhe pavarësisë profesionale të audituesve të jashtëm publik, promovimin e etikës dhe standardeve profesionale, nxitjen e zhvillimit profesional të anëtarëve, bashkëpunimin me institucionet publike dhe organizatat homologe, si dhe forcimin e rolit të auditimit publik në shërbim të transparencës, mirëqeverisjes dhe interesit publik.